You are currently viewing Administrata Publike, mekanizëm kyç në zhvillimin e komunave

Administrata Publike, mekanizëm kyç në zhvillimin e komunave

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) sot mbajti sesionin trajnues dhe vizitë pune në qytetin e Vushtrrisë, ku u adresuan “Sfidat e Administratës Komunale karshi Reformës në Administratë Publike” me fokus Pakon e Ligjeve të Administratës Publike që përfshin Ligjin për Administratën Shtetërore, Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Pagat, njëherësh hapat që na presin në vijim.

U theksua efekti që do të ketë Pakoja e Ligjeve të Administratës Publike në funksionimin e Administratës Komunale në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin zyrtarë të komunave, drejtorë dhe këshilltarë komunalë nga shtatë (7) komuna të Republikës së Kosovës (Mitrovicë, Vushtrri, Drenas, Klinë, Podujevë, Kamenicë dhe Partesh). Pjesëmarrësit morën njohuritë dhe praktikat, njëherësh eliminimin e barrierave në funksionimin e administratës komunale me pakon e re të këtyre ligjeve.

Hapjen e sesionit e bëri Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, i cili vuri theksin mbi vendosjen e rregullave të qarta për gjithë sistemin e administratës publike me anë të pakos së këtyre ligjeve. Para se gjithash theksoi se kjo siguron dhe vendos kritere e rregulla unike të organizimit të brendshëm për të gjitha organet e administratës komunale.

Nënkryetari i Komunës, z. Besim Muzaqi, në rolin e nikoqirit priti përfaqësuesit e komunave dhe falënderoi për vizitën në Komunën e Vushtrrisë. Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, znj. Fatmire Cecelia, prezantoi angazhimin e ndërmarrë në funksion të shfrytëzimit të trashëgimisë në zhvillimin ekonomik lokal. Ndërkaq Drejtoresha e Prokurimit, znj. Saranda Cakaj, prezantoi projektet që ka nisur komuna e Vushtrrisë në përmirësimin e infrastrukturës dhe Shërbimeve.

Në kuadrin e modulit, Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Administratës Publike, z. Naser Shamolli, foli për funksionimin e Pakos së Ligjeve në Administratën Komunale dhe ndikimin e tyre në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Ligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim vendosjen në një kornizë ligjore për punësimin e zyrtarëve publikë në institucione në bazë të meritave, integritetit moral, pa-anësisë dhe qëndrueshmërisë. Ky projektligj rregullon marrëdhënien e punës për zyrtarët publikë përjashtuar funksionarët me status të veçantë publik.

Ndërkaq Projektligji për Pagat përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publikë, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Ky projektligj krijon sistemin homogjen të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik duke përcaktuar rregulla për përcaktimin e pagës dhe përbërësve të saj, si dhe kompetencën në përcaktimin e tyre.

Projektligji për Administratën Shtetërore përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi i Kosovës. Qëllimi i këtij projektligji është krijimi i kuadrit koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mbarëvajtjen, përgjegjshmërinë dhe performancën e tyre.

Sesioni vazhdoi me vizita të pjesëmarrësve në qytetin e Vushtrrisë nëpër objekte të trashëgimisë kulturore dhe historike në këtë qytet.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit në “Mbështetje për Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje