Në kuadër të projektit “Nisma për të Drejtën e Pronës” (NDP), Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), si bashkë-zbatues i Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), ka përfunduar realizimin e 3099 anketave si pjesë e aktivitetit “Kampanja Derë më Derë”.
Ky aktivitet ka pasur për qëllim vlerësimin e nivelit të ndërgjegjësimit mbi regjistrimin e pronës dhe komunikimin me qytetarët mbi mekanizmat në dispozicion për të zgjidhur dhe lehtësuar çështjet e mundshme të pronësisë. KLGI ka realizuar kampanjën “Derë më Derë” në 14 komuna, duke përfshirë Pejën, Prizrenin, Suharekën, Mamushën, Gjilanin, Kamenicën, Vitinë, Novobërdën, Ferizajn, Shtimen, Shtërpcën, Lipjanin, Graçanicën dhe Dragashin.
Si pjesë e kampanjës, një pjesë e grupit të të anketuarve, të cilët janë identifikuar përmes anketave të realizuara nga vullnetarët e KLGI-së, do të përfitojnë ndihmë ligjore falas. Kjo ndihmë do të ofrohet në kuadër të projektit NDP dhe do të realizohet nga ATRC dhe partnerët e saj ligjorë, të cilët do të ofrojnë mbështetje për 1500 familje të anketuara.
Rezultatet e anketës në grafikën më poshtë tregojnë se 83.1% e të anketuarve ndihen më të vetëdijshëm për rëndësinë e procedurave që duhet ndjekur për të regjistruar pronën. Ndërkohë, 10.9% nuk ndihen më të informuar, 5.8% nuk e dinë, dhe 0.2% kanë refuzuar të përgjigjen. Kjo pasqyron një rritje të konsiderueshme të ndërgjegjësimit për këtë çështje.
Regjistro dhe legalizo pronën tënde të paluajtshme! Siguro të ardhmen e familjes tënde duke formalizuar pronësinë përmes regjistrimit dhe legalizimit. Përfitoni nga mbrojtja ligjore që ofron regjistrimi i pronës dhe bëhuni pjesë e kampanjës sonë për të rritur ndërgjegjësimin dhe qasjen në të drejtat pronësore.
Projekti NDP zbatohet nga ATRC, bashkë-zbatohet nga KLGI dhe financohet nga Banka Botërore/Fondi për Paqe dhe Shtetndërtim.
Bëje Tënden
Regjistroje Pronën!
#BëjeTënden#RegjistrojePronën#PIAKOS