Në Komunën e Kaçanikut, Grupi i Auditimit Social në koordinim me partnerin lokal, organizatën për mbrojtjen e mjedisit “GJETHI” , mbajtën takimin e dytë për të analizuar kontratat dhe dokumentet e projekteve për auditim social: i. Izolimi i jashtëm dhe zbatimi i masave të efiçiencës në SHMU “Nazmi Osmani” – Elezaj; ii. Ridizajnimi i hapësirës së Parkut të Qytetit përballë Kalasë së Qytetit.
Takimi ishte një mundësi për të përforcuar bashkëpunimin mes grupeve të ndryshme dhe për të siguruar transparencën dhe efikasitetin në zbatimin e këtyre projekteve.
Gjatë analizimit të dokumenteve të projektit “Izolimi i jashtëm dhe zbatimi i masave të efiçiencës në SHMU ‘Nazmi Osmani’ – Elezaj”, u theksua se synimi kyç është në përmirësimin e kushteve të mësimit dhe reduktimin e kostove energjetike , duke kontribuar në një ambient më të shëndetshëm për nxënësit dhe stafin e shkollës.
Ndërsa, projekti “Ridizajnimi i hapësirës së Parkut të Qytetit përballë Kalasë së Qytetit” , sipas Grupit të Auditimit Social, duhet të ketë qëllim ofrimin e një hapësirë më tërheqëse dhe funksionale për banorët, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe promovuar aktivitete sociale dhe kulturore.
Përmes këtij procesi të Auditimit Social synohet të angazhohet komuniteti dhe të sigurohet që zëri i tyre të dëgjohet, duke përmirësuar menaxhimin e burimeve dhe ruajtjen e mjedisit . Diskutimet ishin frytdhënëse dhe kontribuuan në identifikimin e sfidave dhe mundësive për avancimin e këtyre iniciativave.
Projekti për Auditimin Social zhvillohet në mbështetje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) .