You are currently viewing Asociacioni/Bashkësia – dy emra, dy qëllime

Asociacioni/Bashkësia – dy emra, dy qëllime

Konstatimi kryesor i konferencës “Asociacioni/Bashkësia – dy emra, dy qëllime” ishte se A/BKS nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive për shkak se bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumice serbe, në formën si provon të ndërtohet, rrezikon të jetë një strukturë “mbikomunale” me fuqi kontrolluese për komunat serbe, dhe kjo rrezikon sistemin unitar të vendit dhe sistemin qeverises njëshkallës.
Ky proces do të duhej të ishte brenda kuadrit Kushtetues dhe Ligjore, ku do të mund të zbriteshin fuqi administrative, por jo edhe politike apo ekzekutive.” Zajednica” në gjuhen serbe është shumë më shumë se sa shoqatë, por si një bashkësi ose unifikim i disa elementeve qoftë administrative e kështu me radhë.
A/BKS nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive për shkak se bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra beteja e ashpër pritet të zhvillohet për kompetencat që do ti ketë A/BKS. Kjo pikë është ndër më kryesoret e Marrëveshjes së Brukselit, është ndër katër temat për të cilat palët nuk kanë arritur ende të kenë marrëveshje.
Si pala Serbe ashtu edhe ajo Kosovare vazhdojnë të mos jepin shumë detaje rreth A/BKS. Ky proces nga të dyja palët negociues paraqitet si fitore e tyre. Nga Beogradi ky proces paraqitet si mjet për mbrojtjen e interesave Serbe në Kosovë, ndërkaq për Prishtinën shihet si mekanizëm për shtrirjen e sovranitetit dhe shuarjen e strukturave paralele serbe. Megjithatë nuk duhet harruar se ekziston edhe një mes ai i bashkësisë ndërkombëtare ku njëkohësisht pranon një rol më të madh të kësaj strukture dhe në anën tjetër provon integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.
I gjithë procesi ka qenë i mbyllur e për rrjedhojë ka lënë hapësirë që palët negociuese të paraqesin këtë në forma të ndryshme. Përfaqësues serb të cilët u legjitimuan pas zgjedhjeve lokale nëntorin e vitit 2013 e kanë pranuar haptas se nuk duan qe Asociacioni të regjistrohet si OJQ, ashtu siç parashihet me legjislacionin e Kosovës themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe vlerësohet si çështja më e rëndësishme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Por për Asociacioni ka kohë që kanë nisur konsultat madje për të janë hartuar edhe drafte që gjenden në Bruksel. Në mungesë të marrëveshjes, barra ende mbetet tek grupet punuese që të vazhdojnë punën edhe më tutje në mënyrë që të përafrohen qëndrimet. Ende nuk dihet se cila do të jetë përmbajtja e statutit e A/BKS. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës qysh në dhjetor të vitit të kaluar patën deklaruar se janë në pritje të komenteve nga Brukseli sa i përket draft-statutit të prezantuar për krijimin e A/ABKS. Por edhe pala Serbe vazhdimisht ka insistuar se ka një ekip drejtues i cili po punon në hartimin e statutit sipas “kërkesave” të tyre.
Deri më tani nuk është prezantuar asgjë nga draftet. Pala negociuese Kosovare vazhdon ende të mbaj qëndrimin se ky organizëm statutin, formën, organizimin dhe funksionimin duhet dhe do ta ketë plotësisht në përputhshmëri me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës dhe me marrëveshjen e 19 prillit të arritur në Bruksel. Ky mbetet ende qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian se Asociacioni do të jetë një mekanizëm konsultativ jo-obligues dhe nuk do të ketë karakterin ekzekutiv dhe legjislativ në asnjë rrethanë. Megjithatë duke parë pasqyrën e gjithë procesit negociues shihet se marrëveshjet nuk kanë qenë ato që kanë deklaruar palët në fillim.
Përfaqësuesit lokal të serbëve ka kohë që kanë nisur konsultat me Beogradin për krijimin e Asociacionit. Madje me 17 mars të këtij viti ishte mbajtur një takim me të gjithë përfaqësuesit serb, kohën kur Lista Serbe bojkotonte institucionet e Republikës së Kosovës. Pas këtij takimi Lista Serbe doli me kërkesë që Asociacioni i Komunave të funksionalizohet deri në nëntor të këtij viti.
Nga diskutimet e dala nga takimi, Asociacioni mendohet të ketë kryetarin, këshillin ekzekutiv dhe kuvendin, si dhe llogarinë e tyre. Sa u përket kompetencave serbet kanë insistuar që arsimi dhe shëndetësia të financohet nga Serbia. Kjo synohet të bëhet me një kod të veçantë bankarë dhe gjithçka të kaloj përmes bankës qendrore të Kosovës (BQK), njëjtë sikurse edhe çështja e projekteve të përbashkëta të dhjetë komunave të cilat do të kalojnë përmes votimit në Kuvendin e Asociacionit.
Shikuar nga emri Asociacioni/Bashkësia përfaqëson dy emra dhe dy qëllime dhe se shpjegimi i domethënies terminologjike të emrit Asociacion dhe Bashkësia duke ju referuar fjalorit të Oxfordit do të thotë “grup i njerëzve të organizuar për qëllime të njëjta”, dhe e cila si fjalë vjen nga latinishtja “asso-ciare” që do të thotë “për tu bashkuar”. Kurse “Bashkësi” do të thotë “grup i njerëzve që jetojnë në të njëjtin vend e që kanë karakteristika të përbashkëta dhe të veçanta” dhe e cila si fjalë vjen nga frëngjishtja e vjetër “comunitete” që do të thotë “të njëjtë, unik, të njësoj”. Ky shpjegim bëhet me qëllimin që të tregoj dy emra, dy arsye. E pra se dallimi është te qëllimi, por jo te strukturimi institucional i bashkësisë etnike serbe në Kosovë dhe brenda saj. E dyta, se Asociacioni ka strukturë të funksionimit, e bashkësia përveç se e ruan homogjenitetin-kombëtar, racor, religjioz juridikisht është pa strukturë funksonalale i gjithë ky shpjegim i përket vetë aspektit literal dhe kjo ngase, sipas Marrëveshjes së Brukselit Asociacioni/Bashkësia e komunave serbe do të ketë statut, do të ketë kryetar, nënkryetar, kuvendin dhe këshillin, dhe çdo gjë do të përpilohet ngjashëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Edhe pse Marrëveshja e Brukselit i ka përdorur dy emra, ligjet e Kosovës e përdorin vetëm emrin “Asociacion” dhe që në momentin kur të përdoret emri “Bashkësi”, ligjet në fjalë duhet të pësojnë ndryshime. Duke e parë këtë, Marrëveshja e Brukselit nuk është zgjidhja përfundimtare e problemit por fillimi i problemeve të reja për ligjet e Kosovës.
Qeveria e kaluar pati prezantuar disa ndryshime ligjore që i hapin rrugë themelimit të Asociacionit. Por ato kanë mbetur në gjysmë për shkak të shpërbërjes së Kuvendit. Ndryshimet i referoheshin nenit 32 ku parashihet që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës të shpërbëhet me vendimin e 2/3 të komunave pjesëmarrëse. Neni 32 i ligjit në fuqi u jep të drejtë komunave që individualisht mund tu bashkohen Asociacioneve përfaqësuese të organeve vetëqeverisëse lokale të Kosovës megjithatë ky nen nuk flet për formën se si shpërbëhen Asociacionet.
Konstatimi kryesor i konferencës “Asociacioni/Bashkësia – dy emra, dy qëllime” ishte se A/BKS nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive për shkak se bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra është e qartë se në momentin kur një institucioni i ipen kompetenca ekzekutive pandashëm se ai do të kishte edhe institucion me kompetenca legjislative, që do të çrregullonte sistemin politik dhe qeverisës të Republikës së Kosovës.

Lini një Përgjigje