Në kuadër të projektit “Nisma për të Drejtën e Pronës” (NDP), Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), si bashkë-zbatues i Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), ka përfunduar realizimin e 3099 anketave si pjesë e aktivitetit “Kampanja Derë më Derë”.
Ky aktivitet ka pasur për qëllim vlerësimin e nivelit të ndërgjegjësimit mbi regjistrimin e pronës dhe komunikimin me qytetarët mbi mekanizmat në dispozicion për të zgjidhur dhe lehtësuar çështjet e mundshme të pronësisë. KLGI ka realizuar kampanjën “Derë më Derë” në 14 komuna, duke përfshirë Pejën, Prizrenin, Suharekën, Mamushën, Gjilanin, Kamenicën, Vitinë, Novobërdën, Ferizajn, Shtimen, Shtërpcën, Lipjanin, Graçanicën dhe Dragashin.
Si pjesë e kampanjës, një pjesë e grupit të të anketuarve, të cilët janë identifikuar përmes anketave të realizuara nga vullnetarët e KLGI-së, do të përfitojnë ndihmë ligjore falas. Kjo ndihmë do të ofrohet në kuadër të projektit NDP dhe do të realizohet nga ATRC dhe partnerët e saj ligjorë, të cilët do të ofrojnë mbështetje për 1500 familje të anketuara.
Rezultatet e anketës në grafikën më poshtë tregojnë se 48.3% e të anketuarve kanë legalizuar pronën e tyre, ndërsa 41.5% nuk e kanë bërë këtë dhe 10.2% nuk janë në dijeni për statusin e pronës së tyre. Për sa i përket aplikimit për legalizim, shumica dërrmuese prej 89.2% nuk kanë aplikuar, ndërsa vetëm 10% kanë ndërmarrë këtë hap. Në lidhje me informimin mbi procedurat për legalizimin apo regjistrimin e pronës, 49.6% e të anketuarve janë të informuar, por një pjesë e madhe prej 45.5% nuk janë në dijeni, dhe 4.8% kanë shprehur pasiguri për këtë çështje. Këto të dhëna pasqyrojnë sfida të dukshme në proceset e legalizimit dhe një mungesë të konsiderueshme të informimit në mesin e qytetarëve.
Regjistro dhe legalizo pronën tënde të paluajtshme! Siguro të ardhmen e familjes tënde duke formalizuar pronësinë përmes regjistrimit dhe legalizimit. Përfitoni nga mbrojtja ligjore që ofron regjistrimi i pronës dhe bëhuni pjesë e kampanjës sonë për të rritur ndërgjegjësimin dhe qasjen në të drejtat pronësore.
Projekti NDP zbatohet nga ATRC, bashkë-zbatohet nga KLGI dhe financohet nga Banka Botërore/Fondi për Paqe dhe Shtetndërtim.
Bëje Tënden
Regjistroje Pronën!
#BëjeTënden#RegjistrojePronën#PIAKOS