Komunat, faktorë kyç në procesin e integrimit të Kosovës në BE
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë virtuale me temën “Qeverisja Lokale në Raportin e Progresit”. Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin përfaqësues nga Zyrat komunale për Integrime Evropiane dhe koordinatorë të performancës.
Përgjatë takimit u diskutua për sfidat dhe të arrituarat në nivelin lokal të identifikuara në Raportin e Progresit. Njëherësh u diskutua për kompetencat dhe përgjegjësitë që kanë komunat në këtë proces. Në këtë aspekt, Komunat janë faktorë kyç në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).
Me gjithë përpjekjet e mëtutjeshme për të rritur kapacitetet e qeverisjes lokale, dokumenti i Raportit të Progresit shërben për institucionet, akterët publikë, shoqërinë civile dhe mediat si pikë referuese për sfidat e qeverisjes lokale. Para së gjithash, shërben si instrument në përshtatjen e strategjive dhe fushave të intervenimit në funksion të agjendës së përbashkët drejt reformave evropiane.
Raporti i Progresit shërben si pikë reference për institucionet e Bashkimit Evropian lidhur me vlerësimin e progresit të shtetit të Kosovës përgjatë rrugëtimit në BE.
Instituti KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, KLGI nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të platformës “Kosova që Duam” me mbështetje të Friedrich Ebert Stiftung – FES.




