Qeverisja e mirë, parakusht për zhvillimin dhe konsolidimin e vendit

Instituti KLGI ka zhvilluar trajnimin modular tre-ditor në Republikën e Shqipërisë me temën ‘Standardizimi dhe përmirësimi i shërbimeve komunale’, me qëllim të adresimit të temave kyçe në fushën e qeverisjes lokale në Kosovë, siç janë qeverisja e mirë, procesi i decentralizimit, reforma në administratën publike dhe performanca e shërbyesve civilë.

Pjesëmarrës në trajnimin modular ishin përfaqësues nga komunat e Kosovës, njëherësh grupi punues për draftimin e Ligjit për Funksionimin e Administratës Publike dhe Ligjit për Shërbimin Civil, me kërkesë të cilëve, Instituti KLGI ka organizuar një punëtori të veçantë në kuadër të këtij moduli.

Përpos ligjëratave dhe diskutimeve, ky trajnim modular ka përfshirë edhe vizita dhe takime të përbashkëta në institucionet e Republikës së Shqipërisë me akterët relevantë, me qëllim të marrjes së praktikave dhe modeleve të avancuara për nivelin lokal.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Tahiri, ka prezantuar lidhur me qeverisjen e mirë si parakushti kryesor për zhvillim të vendit. Në këtë kontekst, Tahiri para pjesëmarrësve ka vënë theksin mbi konceptet ndërkombëtare, dimensionet kryesore dhe parimet e qeverisjes së mirë.

Tahiri ka konkluduar se qeverisja është e mirë vetëm atëherë kur ka konsultim të thellë, arrihet konsensusi brenda shoqërisë dhe resurset publike janë në dorë të vendit. Andaj, është tejet e rëndësishme që të gjendet formula e duhur, të funksionalizohet trekëndëshi i qeverisjes (Shteti, Sektori Privat dhe Shoqëria Civile) dhe të kuptohet në tërësi niveli i përgjegjësisë në mënyrë që të ketë zhvillim dhe konsolidim të vendit.

Pjesëmarrësit janë njohur edhe me konceptet teorike të decentralizimit, nisur nga historiku e debati e deri tek situata aktuale në Kosovë, 10 vite pas nisjes së këtij procesi. Drejtori Tahiri ka theksuar se decentralizimi është proces dhe si i tillë kërkon një kurs gjithëpërfshirës të veprimit.

Në anën tjetër Tefik Mahmuti Drejtor i Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil në Ministrinë e Administratës Publike ka trajtuar temën e Reformës së Administratës Publike dhe Rritjen e Performancës së Shërbyesve Civil. Ku ndër tjera u theksua nevoja e përfshirjes të të gjithë akterve në procesin e ndryshimit dhe draftimit të pakos së ligjeve të administratës publike ligje këto që prekun direkt reformën në administratën publike në të gjitha nivelet.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”.