Procesi i integrimit duhet përshpejtuar duke forcuar themelet e qeverisjes lokale

Me ftesë të projektit “Bashkitë për në Evropë” i financuar nga Bashkimi Evropian, përfaqësues nga Instituti KLGI morën pjesë në konferencën e punës Bashkitë në Procesin e Integrimit të Shqipërisë.

Në konferencë prezantuan Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, zv. Ministrja e Brendshme znj. Romina Kuko me portfolio në Qeverisje Vendore, përfaqësues nga shoqatat e qeverisjes vendore, Kryetarë të bashkive dhe ekspertë nga delegacioni i BE-së. Po ashtu, prezent në këtë ngjarje ishte Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokale, ku bashkërisht patëm rastin të shkëmbejmë informacione dhe të prezantojmë shembullin e Kosovës.

Në hapje të prezantimit, në krahasimin e progresit me rajonin, Ambasadorja Vlahutin përmendi Kosovën si shembull suksesi në të hyrat e përgjithshme që mblidhen nga niveli lokal dhe po ashtu investimet që bëhen në këtë nivel. Po ashtu përmendi edhe potencialin e përgjithshëm ekonomik ku niveli lokal në Kosovë qëndron më mirë se në disa vende të rajonit. Mesazhi i ambasadores Vlahutin ishte që përfaqësuesit e BE-së të zbresin në teren ngase Shqipëria nuk është vetëm Tiranë.

Pas folësve kryesorë u prezantuan edhe gjetjet kryesore të vlerësimit të parë kombëtar mbi matjen e performancës së pushtetit vendor në kuadër të procesit të integrimit evropian. Për dallim nga Shqipëria, Kosova ka arritur një konsolidim të lartë në vlerësimin e performancës, me përkrahjen e partnerëve siç janë SDC, USAID dhe DEMOS.

Konferenca ishte e ndarë në tri panele pune: i) Decentralizimi Fiskal; ii) Shpërndarja e Shërbimeve Sociale; dhe iii) Çështjet e Qeverisjes dhe Sundimit të Ligjit. Në të tria panelet u përfshinë përfaqësuesit e Institutit KLGI ku patën rastin të njihen me mentorshipin e ekspertëve evropian, sfidat e prezantuara nga bashkitë dhe njëkohësisht të paraqesin perspektivën në këto fusha në Kosovë.

Në këtë ngjarje, U.D i Drejtorit Ekzekutiv z. Besnik Muçaj, pati rastin të diskutojë me drejtuesit e projektit ‘Bashkitë në BE’ lidhur me modelet dhe rezultatet që ka sjellë ky projekt. Interes I veçantë u vendos në forcimin e kapaciteteve të nivelit vendor në thithjen e fondeve zhvillimore.

Ky aktivitet i Institutit KLGI po zhvillohet në kuadrin e angazhimeve të përbashkëta regjionale për shkëmbimin e informacionit dhe forcimin e komunikimit në fushën e qeverisjes lokale. Në javët në vazhdim Instituti KLGI do të jetë në takime të veçanta ne Maqedoni për të parë në fokus çështjen e bashkëpunimit ndër-komunal.