Instituti KLGI ka zhvilluar takime në tri institucione të Republikës së Shqipërisë

Në kuadër të një trajnimi modular tre-ditor, Instituti KLGI ka zhvilluar takime të ndara në institucione të Republikës së Shqipërisë me qëllim të njohjes së procesit të reformës, procesit të decentralizimit, ri-organizimin territorial dhe modelin e trajnimeve në fushën e administratës publike.

Pjesë e trajnimit modular janë zyrtarë nga komunat e Republikës së Kosovës dhe grupi punues i Ligjit për Funksionimin e Administratës Publike dhe Ligjit për Shërbimin të cilët janë mbështetur nga Instituti KLGI për të marrë praktika dhe modele të avancuara në këto fusha.

Kjo vizitë studimore shërbeu si mundësi e mirë për pjesëmarrësit për të vizituar dhe parë nga afër punën dhe angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Shkollës për Administratë Publike (ASPA), njëherësh edhe Agjencisë për Ofrimin e Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA).

Përgjatë takimit dhe bashkëbisedimit me zv. Ministren e Punëve të Brendshme në Republikën e Shqipërisë, Romina Kuko, dhe Drejtorit të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Bekim Murati, pjesëmarrësit u njohën me hapat dhe progresin e rëndësishëm që ka shënuar Republika e Shqipërisë në ri-organizimin territorial dhe standardizimin e shërbimeve.

Përgjatë këtij takimi u diskutua lidhur me procesin e reformës dhe decentralizimit, proces ky që ka rezultuar në uljen e numrit të njësive komunale (nga 373 në 61) dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve. Procesi i reformave në pushtetin vendor ka pasur efektivitet dhe impakt pozitiv si rezultat i një procesi konsultativ dhe shumë gjithëpërfshirës me akterët relevant, akterët institucionalë, shoqërinë civile, donatorët dhe qytetarët. Me këtë rast, Drejtori Tahiri dhe zv. Ministrja Kuko u pajtuan për zgjerimin e bashkëpunimit në funksion të shkëmbimit të praktikave në mes të dyja vendeve, njëherësh janë dakorduar për organizimin e një takimi të përbashkët në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, në takimin me Drejtorin e ASPA, z. Fatmir Demneri, para pjesëmarrësve është prezantuar zhvillimi i kurseve dhe trajnimeve që ofron kjo shkollë për ngritjen e kapaciteteve dhe performancës së zyrtarëve dhe nëpunësve civilë. Me këtë rast, ai ka paraqitur para pjesëmarrësve vizionin dhe përkushtimin e ASPA lidhur me procesin e reformave, hapat e ndërmarrë drejt rritjes së standardeve të ofrimit të shërbimeve publike; përpjekjet dhe fuqizimin e kapaciteteve të administratës në hartimin dhe implementimin e politikave publike.

Drejtori Tahiri dhe Drejtori Demneri u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në mes të Institutit KLGI dhe ASPA-s me synim të adaptimit të programeve të reja edukative të modeleve evropiane siç është Shkolla Evropiane për Lidership.

Pjesëmarrësit e programit modular patën rastin të vizitojnë edhe qendrën/sportelet e shërbimeve të integruara ADISA, qendër e cila ofron dokumente të kërkuara nga qytetarët duke shkurtuar koston dhe kohën e marrjes së këtyre shërbimeve. ADISA u cilësua si njëra ndër modelet e mira inovative për modernizimin dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët.

Instituti KLGI po vazhdon të jap kontribut në procesin e reformës dhe zbatimit të decentralizimit në Republikën e Kosovës. Kjo po bëhet nëpërmes ofrimit të ekspertizës, programeve të avancuara dhe vizitave studimore në rajon.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”.